" /> Konferencë shtypi / Trajneri Skënder Gega dhe kapiteni Vesel Limaj flasin para mediave – FUTBOLL KLUB KUKESI

Konferencë shtypi / Trajneri Skënder Gega dhe kapiteni Vesel Limaj flasin para mediave

Kukësi luan nesër ndeshjen e parë të sezonit të ri në Kategorinë Superiore ndaj Tiranës dhe në prag të kësaj ndeshjeje para mediave ka folur trajneri Skënder Gega së bashku me kapitenin Vesel Limaj  trajneri Gega u shpreh:

“Tirana është ekipi kampion dhe një ekip historie, ata kanë vlerat e tyra. Për ne është e rëndësishme të njohim njëri-tjetrin dhe veten tonë, kështu që shkojmë me ndjesi të mirë dhe objektiva të qarta. Ndryshime të mëdha janë bërë pas Kupave të Evropës, na ka shërbyer kjo periudhë pushimi. Ka disa lojtarë që nuk kanë luajtur dhe periudha e pushimit na ka shërbyer. Nga ana psikologjike dhe fizike jemi gati për sfidën e nesërme”.

“Grupi që ishte një grup me kualitet dhe i vlerësuar. Do kisha dëshirë të ishin këtu të gjithë, por janë zgjidhjet e tyre. Grupi që ka ardhur na bën optimistë, është grup i mirë me kualitet. Kanë eksperiencë dhe jemi munduar të bëjmë një miks midis atyre me një të kaluar shumë të mirë dhe lojtarëve me moshë të re. Është grup i mirë, edhe nga ana njerëzore. Do na ndihmojnë të punojmë të qetë. Unë nuk kam ndryshuar, kam ndryshuar vetëm uniformën. Dua të marr më të mirën nga çdo futbollist”.

Partizani? Është diçka e kaluar, kam qenë me fat dhe ishte privilegj që isha pjesë e të kuqve. Partizani është identiteti im, aty jam rritur dha kam zhvilluar karrierën time. Do të bëj po aq shumë edhe për Kukësin. Jam profesionist, nuk mund të bëhem kuksian menjëherë, por për aq kohë sa jam këtu do të bëj maksimumin. Dua të justifikoj besimin dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Ky është profesionalizmi, por le t’ia lëmë kohës. Gjithë ambienti shqiptar është i ngarkuar me presion. E kemi në gen, jemi emocionalë. Ka lloj lloj presionesh, por është presion i zanatit tonë. Duhet të jesh i gatshëm ta përballosh dhe të krijosh balancat. Objektivat janë të qarta, unë jam i qartë për veten time dhe me ekipin. Kur është qëllimi i mirë dhe ka bashkëpunim, presioni është i kuptueshëm.

Stadiumi? Kukësi nuk ka dalë me humbje, personalisht nuk e shoh risk, është normale, do të jemi të barabartë në çdo stadium ku të luajmë. Në ndeshjet e shtëpisë duhet të marrim tre pikët, në ndeshjet jashtë duhet të japim e marrim maksimumin. Mendoj se të dy grupet kanë vlera dhe specifikat e ndryshme. Këta që kanë ardhur janë në të njëjtin nivel me ekipin që ishte vjet, edhe pse nuk janë shfaqur akoma. Kemi besimin e plotë që kemi marrë njerëzit e duhur. Shpresoj që ky grup të mbajë po ato nivele, por edhe objektivat, që vjet nuk u arritën për arsye të ndryshme. Shpresoj që të bëjmë hapin e duhur. Kemi 23 lojtarë. Një pjesë e madhe janë të rinj, por kanë potencial të madh dhe do rriten shumë shpejt. Bytyçi është një nga ata, por ka edhe të tjerë. Shpresojmë të rriten shumë shpejt dhe të na ndihmojnë, pasi kampionati është shumë i gjatë”, tha Gega.

Kapiteni Vesel Limaj tha:

E dimë çfarë na pret nesër. Edhe pse kanë mungesa, do të jetë e vështirë. Dihen vlerat dhe cilësitë e Tiranës, besoj se edhe lojtarët që do të vijnë nga stoli janë të mire”.

Unë kapiten? “Është diçka e re për mua, por ndihem njësoj si vjet apo para dy viteve. Nuk ka ndryshime. Përgjegjësia është më e madhe, por nuk bëhet fjalë për presion. Të gjithë janë larguar, vetëm unë dhe Xhika jemi nga formacioni i vitit të kaluar. Ka shumë ndryshime në ekip, por jemi përshtatur shumë mirë, kjo është kryesorja”.

Rivalët për titull? “Të gjithë janë të fortë. Laçi dhe Teuta kanë bërë blerje të mira, por të gjitha ndeshjet janë të forta”

Ndaje me fansat:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.