" /> Et’hemi: Stërvitemi e komunikojmë çdo ditë, këto kohë kalojini me familjet – FUTBOLL KLUB KUKESI

Et’hemi: Stërvitemi e komunikojmë çdo ditë, këto kohë kalojini me familjet

Ekipi vazhdon të stërvitet në kushte shtëpie pavarësisht vështirësive që sjell kjo mënyrë e të stërviturit. Valon Et’hemi pranon në një intervistë për faqen e klubit se çdo futbollist duhet përgatitur për të ruajtur formën, ndërsa ky moment i vështirë duhet të shfrytëzohet për të kaluar disa ditë me familjarët.

Si e kalon një ditë në karantinë Valon Et’hemi?
Është një situatë që nuk është se dikush mund ta ketë provuar më parë në nivele të tilla globale dhe sigurisht që të gjithe jemi përpjekur të adaptohemi në raport me mundësitë që kemi. Stërvitem rregullisht individualisht, mundohem të pushoj mirë dhe sigurisht penalizimin që na sjell karantina e kam shfrytëzuar për të shijuar më shumë familjen dhe tani po e shoh se sa shumë më paska munguar, duke qenë gjithë kohën të ndarë shkaku i angazhimeve profesionale.

Sa e vështirë është për një futbollist të qëndroje kaq kohë larg fushave?
Sigurisht që është shumë e vështirë, pasi jemi mësuar që gjithë kohën të jemi në fushë, posaçërisht në këtë periudhë të vitit kur ndeshjet kanë rëndësi të madhe në drejtim të vendosjes së kampionatit apo ambicieve të cilësdo skuadër.

A mendon se do të jetë e vështirë të rifitohet forma pas këtij pushimi të gjatë?
Patjetër që do të ketë vështirësi dhe jo vetëm për ne. Është problem global me të cilin do të ballafaqohen edhe skuadrat më të mëdha botërore. Por kjo është situata dhe duhet ta pranojmë. Në kushte shtëpie jemi munduar të ruajmë nivelin fizik dhe masën trupore, që gjithsesi nuk mjafton për një sport kolektiv si futbolli, por duke qenë në kondicion të mirë, besoj se me një mini fazë përgatitore të arrimë të kthehemi aq sa do të mundemi në një nivel të dëshiruar që do na shërbente për realizimin e objektivave.

A keni pasur kontakte me stafin dhe ekipin?
Po, patjetër. Një grup ku komunikojmë vazhdimisht ka ekzistuar prej kohësh dhe tani aty vetëm është shtuar komunikimi për ndjekjen e programit dhe detyrave që na janë dhënë nga stafi teknik. Sigurisht që nuk mungojne as batutat e ngacmimet apo edhe biseda të zakonshme se si po e kalojmë këtë periudhë krize me COVID-19.

Çfarë këshillash ju jepen?
Gjëra standarde për sportistë apo futbollistë. Të kemi kujdes me jetë që bejme, të ruajmë masën trupore dhe kondicionale, kujdes për çka hamë dhe si flemë, sepse në këto kushte janë gjëra shumë me rëndësi për të mos dalë tërësisht nga ritmi i një sportisti. Pastaj sfida do të jetë të kthejmë punën në grup, që futbolli ashtu si sportet e tjera kolektive e kanë hendikepin më të madh në këtë kohë të krizës me Corona Virusin dhe karantinës së detyrueshme që po na imponohet.
Uroj që gjithë kjo të përfundojë së shpejti, të sëmurët të shërohen dhe të gjithë së bashku tu kthehemi jetëve tona normale.

Ndaje me fansat:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.